Shpërthim në rafinerinë ‘Motor Oil’ në Greqi: humb jetën Robert Cakaj, plagoset rëndë Dorian Hysa
Një shpërthim në rafinerinë “Motor Oil” në Agioi Theodoroi i mori jetën 43‑vjeçarit shqiptar Robert Cakaj, ndërsa Dorian Hysa, 50 vjeç, po trajtohet në gjendje kritike. Ngjarja ndodhi pak pas orës 11:00, gjatë punimeve të mirëmbajtjes.

Një shpërthim në rafinerinë “Motor Oil” në Agioi Theodoroi të Greqisë shkaktoi vdekjen e shtetasit shqiptar Robert Cakaj, 43 vjeç, ndërsa një tjetër shqiptar, Dorian Hysa, 50 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe është në gjendje kritike.
Ngjarja u regjistrua pak pas orës 11:00, teksa në ambientet e rafinerisë po kryheshin punime mirëmbajtjeje parandaluese. Shpërthimi la të plagosur disa punëtorë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Dy të dëmtuarit rëndë u transportuan fillimisht në Spitalin e Korinthit për ndihmë të parë mjekësore dhe më pas u dërguan në spitalin Thriasio për trajtim të specializuar.
Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, 43‑vjeçari Robert Cakaj nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Ndërkohë, 50‑vjeçari Dorian Hysa vijon të jetë i intubuar, me dëmtime të rënda në kokë.
Autoritetet shëndetësore bënë me dije se në Spitalin e Korinthit u paraqit edhe një person i tretë me probleme të lehta në frymëmarrje.











