Reforma territoriale kalon në Kuvend me 85 vota pro; bashkitë ulen nga 61 në 46
Kuvendi miratoi reformën administrativo‑territoriale me 85 vota pro, duke ulur numrin e bashkive në 46 dhe duke shkrirë 15 njësi vendore. Opozita kundërshtoi fort, ndërsa ndryshimet do të zbatohen në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Kuvendi miratoi reformën e re administrativo‑territoriale me 85 vota pro, duke hapur rrugë një harte të re që redukton numrin e bashkive nga 61 në 46. Për miratimin nevojiteshin 84 vota.
Drafti i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive: Fushë‑Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Prrenjas, territoret e të cilave do të përfshihen në bashki ekzistuese. Dymbëdhjetë qarqet mbeten të pandryshuara.
Seanca u shoqërua me debate për rreth 14 orë dhe tensione mes mazhorancës e opozitës. Në momentin e votimit, deputetë të PD-së tentuan të bllokonin procesin, ndërsa gjatë nisjes së votimit u hodhën shishe uji dhe sende të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk mori pjesë në debat por ishte i pranishëm në sallë për votimin.
Deputeti socialist Erion Braçe, që e kishte kundërshtuar publikisht hartën e re, votoi pro projektligjit. Pas seancës, ai deklaroi se vijon të jetë kundër reformës dhe se do ta shpjegojë votën të premten.
Ndryshimet kryesore
Harta e re do të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027; deri në konstituimin e organeve të reja, kryetarët dhe këshillat aktualë do të ushtrojnë kompetencat brenda kufijve ekzistues. Parashikohen rregullime teknike të hartave të Vorës dhe Kamzës, ndërsa qeveria duhet të miratojë detajimin teknik të kufijve brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Ndryshon organizimi i brendshëm i disa bashkive: në tabelat përkatëse shtohen qytetet Kastrat, Bushat, Ulëz, Milot, Martanesh dhe Golem; në Kurbin emërtimi “Kurbin” zëvendësohet me “Laç”, pa krijuar bashki të reja. Ligji vendos gjithashtu që ndryshimet e ardhshme të njësive përbërëse të kërkojnë konsultim publik, vendim të këshillit bashkiak dhe miratim nga qeveria; ato nuk mund të bëhen më shpesh se një herë në 10 vjet dhe ndalohen një vit para zgjedhjeve qendrore e vendore.











