Rama shpall krijimin e Ministrisë së Administratës Publike; drejtimin e merr Adea Pirdeni
Kryeministri Edi Rama njoftoi se javën e ardhshme do të ngrihet Ministria e Administratës Publike. Në krye të dikasterit të ri do të jetë Adea Pirdeni, aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se javën e ardhshme qeveria do të krijojë Ministrinë e Administratës Publike, duke e vlerësuar administratën si një nga boshtet kryesore të punës së kabinetit.
Sipas tij, ngritja e këtij institucioni synon zgjerimin e përgjegjësive dhe ambicieve për modernizimin e administratës dhe forcimin e modelit europian të shtetit shqiptar.
Rama bëri të ditur se ministria e re do të drejtohet nga Adea Pirdeni. Ajo mban aktualisht detyrën e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike (…) dhe është nevoja që ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe patjetër gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, tha kreu i qeverisë.
Lajmi u dha gjatë fjalës së Ramës në prezantimin e Shkallës së Meritës, një reformë që synon një administratë profesionale dhe të përgjegjshme, në funksion të objektivit për Shqipërinë 2030 anëtare të Bashkimit Europian.











