Rama prezanton “Shkallën e Meritës” për administratën: synim rritja e profesionalizmit
Kryeministri Edi Rama prezantoi reformën “Shkalla e Meritës”, me theks te vlerësimi sipas performancës dhe forcimi i meritokracisë në administratën publike. Ai tha se Shqipëria renditet e para në rajon për përmirësimin e administratës.

Kryeministri Edi Rama prezantoi të premten reformën “Shkalla e Meritës”, që synon rritjen e profesionalizmit dhe forcimin e meritokracisë në administratën publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Shqipëria “është rreshtuar e para në rajon” për përmirësimet në administratën publike, duke vënë në qendër të reformës vlerësimin dhe avancimin në karrierë mbi bazën e meritës.
Sipas kryeministrit, mungesa e dallimit në vlerësimin e punonjësve, pavarësisht performancës, mbetet një problematikë. Ai u shpreh se shpesh “se punon se s’punon kjo duket sikur nuk ka rëndësi” dhe se mungojnë pasojat për ata që nuk performojnë, ndërsa një pakicë mban peshë disproporcionale pa reflektim në vlerësim.
Rama e cilësoi “meritën një domosdoshmëri për të shërbyer në shtet” dhe nënvizoi se qytetari e përjeton administratën përmes eksperiencës personale, jo përmes indekseve apo strategjive.
Ai e lidh reformën me procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe e vendosi në vazhdën e hapave të mëparshëm transformues, duke përmendur BESA, Pasqyrën dhe Praninë Besnike, me “Shkallën e Meritës” si komponentin e ri.











