PS kërkon përjashtimin 60-ditor të Bardhit dhe Balliut pas incidentit në seancë
Grupi parlamentar i PS i është drejtuar Sekretariatit të Etikës me kërkesë për të përjashtuar për 60 ditë Gazment Bardhin dhe Klevis Balliun nga veprimtaritë parlamentare. Nisma vjen pas tensioneve në seancën ku u diskutua dhe u votua Reforma Territoriale.

Partia Socialiste ka depozituar një kërkesë zyrtare në Sekretariatin e Etikës për të përjashtuar për 60 ditë nga të gjitha aktivitetet parlamentare dy deputetë të opozitës, Gazment Bardhin dhe Klevis Balliun. Kërkesa pason tensionet në seancën plenare ku u diskutua dhe u votua Reforma e re Territoriale.
Sipas dokumentit të protokolluar nga mazhoranca, masa disiplinore e propozuar do të përfshijë përjashtimin nga punimet e komisioneve parlamentare dhe nga seancat plenare për një periudhë 60-ditore.
Seanca u shoqërua me përplasje dhe incidente, mes tyre edhe hedhje veze dhe uji në sallë, çka çoi në përshkallëzimin e situatës.
Objekt i kërkesës janë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputeti Klevis Balliu. Lëvizja e PS synon zbatimin e masave më të rrepta disiplinore ndaj tyre.
Lajmi është konfirmuar publikisht nga gazetarja Olta Blaceri.











