Dy sulme në aeroportin e Riadit, të paktën tre të vrarë
Autoriteti i aviacionit civil në Arabinë Saudite njoftoi për dy sulme në aeroportin ndërkombëtar të Riadit, me të paktën tre viktima dhe disa të plagosur. Pamje në rrjete sociale tregojnë një avion të përfshirë nga flakët, ndërsa Lufthansa pezulloi përkohësisht fluturimet për në kryeqytet.

Të paktën tre qytetarë sauditë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën pas dy sulmeve të ndodhura në aeroportin ndërkombëtar të Riadit, njoftoi autoriteti i aviacionit civil të mbretërisë.
Sipas njoftimit, sulmi i parë kishte në shënjestër objekte të aeroportit, ndërsa i dyti goditi një aeroplan të linjës ajrore Saudia. Burime në aeroport thanë se mbeturina nga raketa të kapura ranë mbi një ndërtesë të terminalit.
Pamje që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një avion të përfshirë nga flakët; besohet të jetë një Airbus A320 i Arabisë Saudite, i parkuar dhe pa pasagjerë. Kjo pjesë e incidentit nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Në vijim të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, grupi Lufthansa bëri të ditur se po pezullon përkohësisht fluturimet për në Riad deri më 16 tetor.
Ndërkohë, rebelët Huthi të mbështetur nga Irani paralajmëruan se të gjitha objektet e naftës në Arabinë Saudite mund të bëhen shënjestra të sulmeve të tyre.











