BE miraton mbylljen e Kapitullit 20; Rama e quan hap drejt objektivit historik
Kryeministri Edi Rama njoftoi se Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga BE për të mbyllur Kapitullin 20 mbi ndërmarrjet dhe politikën industriale. Ai e cilësoi këtë si kapitullin e katërt të mbyllur dhe një hap që forcon perspektivën për investime dhe punësim.

Shqipëria ka marrë miratimin e Bashkimit Evropian për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikën industriale. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Ramës, ky është kapitulli i katërt që mbyllet në procesin e negociatave dhe përbën një hap të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian të vendit.
“Shqipëria mbyll kapitullin e katërt, nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se përparimi në negociata pritet të hapë horizonte për rritjen e investimeve, nxitjen e inovacionit dhe rritjen e konkurrueshmërisë, duke krijuar mundësi të reja punësimi.
Mbyllja e Kapitullit 20 shënon një etapë tjetër në procesin e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara nga BE-ja.











