Xhaketa e “Thriller” e Michael Jackson pritet të kapërcejë 10 milionë dollarë në Abu Dhabi
Xhaketa e kuqe e “Thriller”-it e Michael Jackson pritet të shitet për mbi 10 milionë dollarë në një ankand në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në të njëjtin event do të dalin edhe doreza me xixa dhe këpucë të artistit.

Xhaketa e kuqe prej lëkure e Michael Jackson nga videoklipi “Thriller” pritet të arrijë mbi 10 milionë dollarë në një ankand që do të mbahet në dhjetor në Abu Dhabi, njoftoi shtëpia amerikane e ankandeve “Julien’s Auctions”.
I njëjti artikull legjendar u shit në vitin 2011 për 1.8 milionë dollarë, ndërsa vlerësimi aktual është dukshëm më i lartë. Rritja e interesit ndaj sendeve të artistit lidhet edhe me filmin biografik “Michael”, i publikuar këtë vit.
Përveç xhaketës, në fundvit do të ofrohen për shitje edhe objekte të tjera që lidhen me “Mbretin e Popit”, mes tyre doreza me xixa e përdorur gjatë performancës së “moonwalk” me këngën “Billie Jean” në galën e Motown të vitit 1983. Ajo u shit për herë të fundit në nëntor 2009 për 430,000 dollarë një biznesmeni nga Hong Kongu dhe tani vlerësohet deri në 800,000 dollarë.
Dy palë këpucë të zeza lëkure të këngëtarit janë vlerësuar mes 60,000 dhe 80,000 dollarëve, ndërsa pantoflat e përdorura në videoklipin e “Thriller” vlerësohen mes 30,000 dhe 50,000 dollarëve.
Koleksioni do të ekspozohet në disa vende, përfshirë SHBA, Japoninë dhe Bahreinin, përpara ankandit në Abu Dhabi. Michael Jackson vdiq në qershor 2009 në moshën 50-vjeçare.











