“Vallja e Osman Takës” përfshihet në Listën Kombëtare të trashëgimisë jomateriale
Vallja tradicionale e lidhur me figurën e Osman Takës është regjistruar në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Lajmin e njoftoi kryeministri Edi Rama, i cili publikoi edhe një video të valles.

“Vallja e Osman Takës” është përfshirë në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë, siç njoftoi kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, ku shpërndau edhe një video të kësaj valleje tradicionale.
Kryeministri e përshkroi vallen si simbol të identitetit çam dhe theksoi vlerën e saj shpirtërore dhe historike.
“Simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza”, shkroi Rama.
Sipas tij, vallja lidhet me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli dhe ndërthur forcën me elegancën, duke shprehur trimërinë, sakrificën, solidaritetin dhe shpirtin e lirë.
Përfshirja në Listën Kombëtare synon të vërë në qendër ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj tradite ndër breza, duke i dhënë asaj vëmendje të shtuar institucionale dhe publike.











