Shembje e pjesshme e një pallati në Stamboll: 5 të shpëtuar, kërkime për të tjerë
Në lagjen Cevizli të Maltepes në Stamboll, tre katet e poshtme të një godine 7-katëshe u shembën rreth orës 05:40. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë pesë persona të gjallë, ndërsa dyshohet se të paktën shtatë të tjerë janë ende nën rrënoja.

Një incident i rëndë ndodhi të enjten herët në mëngjes në Stamboll, ku tre katet e poshtme të një pallati 7-katësh në lagjen Cevizli të Maltepes u shembën rreth orës 05:40. Pjesa e sipërme e ndërtesës mbeti në këmbë, por në gjendje të paqëndrueshme.
Forcat e zjarrfikësve, ekipet e AFAD-it, policia dhe shërbimet shëndetësore nisën menjëherë një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi. Sipas të dhënave fillestare, pesë persona janë nxjerrë të gjallë, ndërsa dyshohet se shtatë të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja. Me disa prej tyre është vendosur kontakt.
Banorët në katet e sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt. Ndërtesa kishte 12 apartamente dhe ishin të regjistruar 33 banorë. Pas shembjes, zona u mbush me pluhur dhe u rrethua për shkak të rrezikut të një rrëzimi të dytë, ndërsa ekipet vijojnë punën me kujdes të shtuar.
“U tund si të ishte tërmet,” tregoi një banor për momentin e shembjes.
Shkaqet e incidentit mbeten të paqarta. Autoritetet kanë hapur hetime teknike, administrative dhe gjyqësore për të përcaktuar arsyet dhe përgjegjësitë e mundshme. Sipas mediave vendase, godina ishte ndërtuar në vitin 1987 dhe në katin përdhe funksiononin disa biznese.











