PS mbyll mbledhjen para votimit për reformën territoriale; Rama largohet nga Parlamenti
Grupi parlamentar i PS përfundoi mbledhjen para seancës ku pritet votimi për reformën territoriale. Vëmendja është te qëndrimi i Erion Braçes dhe Vullnet Sinajt, që më herët kundërshtuan draftin.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste përfundoi sot mbledhjen para nisjes së seancës plenare, ku pritet të hidhet në votim drafti i shumicës për reformën territoriale. Kryeministri Edi Rama mori pjesë në mbledhje dhe më pas u largua nga ambientet e Parlamentit.
Fokusi kryesor mbetet te vota e deputetëve socialistë Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, të cilët në mbledhjen e mëparshme të grupit kishin shprehur kundërshtinë ndaj draftit. Tani pritet të shihet nëse qëndrimi i tyre do të jetë i njëjtë edhe në sallën plenare.
Drafti i propozuar parashikon shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin. Për miratimin e reformës territoriale në Kuvend nevojiten 84 vota.
Situata e numrave mbetet delikate: pa votat e Braçes, Sinajt dhe pas largimit të deputetes Marjana Koçeku nga Grupi Parlamentar i PS, shumica socialiste numëron 80 vota. Edhe me mbështetjen e aleatit PSD, llogariten deri në 83 vota, çka do të ishte e pamjaftueshme për kalimin e reformës.
Seanca e sotme pritet të qartësojë nëse shumica do të arrijë kuorumin e nevojshëm për miratimin e ndryshimeve të propozuara.











