Ndahet nga jeta “Maricarmen”, 87‑vjeçarja që u bë simbol i protestave për strehimin në Spanjë
Maria del Carmen Abascal, e njohur si “Maricarmen”, ka ndërruar jetë pas dëbimit nga banesa e saj në Madrid, çka ndezi protesta të gjera kundër rritjes së qirave. Lajmi u konfirmua nga Shoqata e Qiramarrësve të Madridit.

Maria del Carmen Abascal, 87 vjeç, e njohur gjerësisht në Spanjë si “Maricarmen”, ka vdekur, njoftoi Shoqata e Qiramarrësve të Madridit. Ajo ishte bërë simbol i protestave kundër krizës së strehimit, pasi u përball me dëbim nga banesa ku kishte jetuar rreth shtatë dekada, në lagjen Retiro të Madridit.
Sipas shoqatës, pronari privat i ndërtesës kishte rritur qiranë mujore nga 500 euro në 2,650 euro, shumë e papërballueshme për të moshuarën. Më 23 shtator, Abascal u nxor nga apartamenti me barelë dhe u dërgua në spital, një ngjarje që shkaktoi valë indinjate dhe protesta në kryeqytet dhe qytete të tjera.
Pas presionit publik, pronari u tërhoq dhe pranoi që Maricarmen të rikthehej në shtëpi sapo të dilte nga spitali, por Shoqata e Qiramarrësve theksoi se ky vendim erdhi “shumë vonë”. Në një deklaratë, ata konfirmuan vdekjen e saj dhe kujtuan se ajo ishte e shtruar që prej ditës së dëbimit.
Gjatë qëndrimit në spital, Maricarmen u dërgoi një mesazh mbështetësve:
“Ju lutem, vazhdoni të luftoni.”Ajo falënderoi protestuesit për solidaritetin. Pas lajmit të vdekjes, në Madrid u ndezën qirinj dhe u mbajt një minutë heshtje, ndërsa u dëgjuan thirrje si “Maricarmen jeton, lufta vazhdon”, “Të gjithë jemi Maricarmen” dhe “Nuk është vdekje, është vrasje”.
Kryeministri Pedro Sanchez shprehu ngushëllimet në rrjetin X. Sipas Shoqatës së Qiramarrësve të Madridit, rreth 950 mijë persona morën pjesë në protestat mbarëkombëtare gjatë fundjavës së kaluar, duke kërkuar masa për frenimin e rritjes së qirave dhe përballimin e krizës.
Çështja e strehimit është bërë një nga temat kryesore politike në Spanjë. Sanchez ka kërkuar zgjedhje të parakohshme pasi qeveria nuk siguroi mbështetje parlamentare për dy ligje që synonin adresimin e krizës, dhe analistët parashikojnë që strehimi të jetë boshti i fushatës së tij.
Ndërkohë, Partia Popullore (PP), opozita kryesore, kundërshton shtimin e rregullave në tregun e qirave dhe argumenton se rruga e zgjidhjes është ndërtimi i më shumë banesave.











