McGrath: Shqipëria e ka vendin në BE, por duhet të ruajë ritmin e reformave
Komisioneri evropian Michael McGrath, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, tha se Shqipëria është mes vendeve pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE. Ai theksoi se kërkohet vijim i punës në drejtësi dhe sundimin e ligjit, ndërsa BE-ja do të mbështesë çdo hap.

Komisioneri evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Konsumatorët, Michael McGrath, deklaroi pas një takimi me kryeministrin Edi Rama se Shqipëria është ndër vendet pararendëse në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, duke shtuar se “Shqipëria e ka vendin në BE”.
Në një reagim në rrjetet sociale, McGrath nënvizoi se megjithë progresin, mbetet punë e rëndësishme për t’u bërë në kuadër të procesit të anëtarësimit.
“Shqipëria e ka vendin në BE dhe është një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE,” shkroi ai, duke shtuar se Unioni do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap.
Sipas tij, në takimin me Ramën u diskutua për përparimin në zbatimin e reformave në drejtësi dhe në fushën e sundimit të ligjit, të cilat i përshkroi si “spiranca politike” e procesit të anëtarësimit.
McGrath vlerësoi gjithashtu qeverinë për ecurinë e deritanishme, duke folur për një “historik të fortë progresi” dhe një “ambicie të qartë”.
“Tani, ky ritëm duhet të ruhet për të dhënë rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme,” theksoi komisioneri evropian.











