Kushtetuesja rrëzon padinë e PD: Në fuqi dekretet për “ministren” Diella
Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e 39 deputetëve të PD për shfuqizimin e dy dekreteve presidenciale që lidhen me “ministren” artificiale Diella. Trupa vlerësoi se çështja nuk hyn në kompetencat e saj sipas nenit 131 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese vendosi më 8 tetor 2026 të rrëzojë kërkesën e një grupi prej 39 deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kërkonin shfuqizimin e dy dekreteve të Presidentit të Republikës që lidhen me emërimin e të ashtuquajturës “ministre Diella”. Me këtë vendim, në fuqi mbeten dekreti nr. 331, datë 12.09.2025 “Për emërimin e Kryeministrit”, në nenin 2, si dhe dekreti nr. 333, datë 15.09.2025 “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, neni 1, pika 1, fjalia e dytë.
Trupa theksoi se rasti paraqet një situatë të pazakontë për shkak të përfshirjes së inteligjencës artificiale.
“Kjo është një çështje e re, për të cilën nuk ka pasur qëndrime të mëhershme në kontekstin e inteligjencës artificiale,”thuhet në arsyetim, duke nënvizuar se përdorimi i teknologjisë nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues apo të krijojë e zëvendësojë kompetenca publike.
Sa i takon nenit 131, pika 1, shkronja “c” të Kushtetutës, gjykata arriti në përfundimin se formulimi i kundërshtuar mund të prodhojë efekt individual ndaj kryeministrit, por nuk ka karakter normativ të pavarur për krijimin e kompetencave ose strukturave të reja, ndaj nuk shqyrtohet në këtë bazë.
Në lidhje me shkronjën “ç” të po këtij neni, gjykata vlerësoi se kërkuesit nuk përmbushin kriterin e legjitimitetit ratione personae për të ngritur një mosmarrëveshje kompetencash me natyrë kushtetuese, pasi nuk janë subjekt në konflikt dhe as të cenuar drejtpërdrejt.
Për shkronjën “e”, që mbulon çështjet e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë së funksionarëve kushtetues, gjykata konkludoi se pavarësisht terminologjisë në dekrete, nuk bëhet fjalë për një funksionar konkret kushtetues, zgjedhja apo emërimi i të cilit të jetë objekt kontrolli në këtë kuadër.
Në përfundim, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 39 deputetëve të PD-së, duke lënë të pacënuara dekretet presidenciale përkatëse.











