Kushner: Toka në Zvërnec u ble privatisht për 230 mln €, projekti do kalojë të gjitha filtrat
Jared Kushner mohon se qeveria shqiptare ka dhënë tokë për projektin në Zvërnec dhe thotë se prona u ble nga një palë private për 230 milionë euro. Ai thekson se investimi, nëse miratohet, mund të arrijë rreth 4 miliardë euro dhe do t’i nënshtrohet të gjitha procedurave rregullatore e mjedisore.

Jared Kushner ka sqaruar se toka e parashikuar për projektin në Zvërnec është blerë nga një palë private për 230 milionë euro, duke kundërshtuar pretendimet se ajo u dha nga qeveria shqiptare apo se procesi u favorizua politikisht.
Në reagimin e tij, Kushner thekson se bëhet fjalë për një investim privat me kapital të konsiderueshëm. Sipas tij, nëse projekti merr miratimet përkatëse, ai mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro dhe të sjellë vende pune, aktivitet ekonomik dhe zhvillim të turizmit. “Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Partnerët tanë e blenë atë nga një palë private për 230 milionë euro”, deklaron ai.
Kushner thotë se pas blerjes së tokës janë shpenzuar më shumë se tre vjet dhe dhjetëra miliona dollarë për studime të terrenit dhe mjedisit, ndërsa janë angazhuar arkitektë, inxhinierë dhe ekspertë mjedisorë për të formësuar projektin. Ai nënvizon se vendimi për vijimin i takon Shqipërisë dhe se projekti do të kalojë të gjitha proceset rregullatore dhe mjedisore.
Ai shton se është partner në pakicë dhe fokusohet te vizioni dhe dizajni, ndërsa drejtimin e përditshëm e kryen Asher Abehsera si CEO. Kushner përmend edhe rolin e familjes Kastrati në sjelljen e mundësisë së tokës, si edhe bashkëpunë me partnerë të tjerë.
Lidhur me pretendimet për favore politike, Kushner thotë se interesi për projektin ka nisur në verën e vitit 2021 dhe se sugjerimet për lidhje me fushata politike janë të pabazuara. Ai shton se miratimi i aeroportit në zonë kishte ndodhur para se ai të njihte projektin dhe se ky fakt ndikoi në vizionin për zhvillimin e rajonit.
Kushner thekson se angazhimi me komunitetin lokal në Vlorë ka qenë i gjerë dhe se ambicia është të ndërtohet sipas standardeve të larta të dizajnit dhe mjedisit, me synimin që zona të mbetet “më e gjelbër, me më shumë biodiversitet dhe më e fortë nga ana mjedisore”.











