Rama në 3-vjetorin e 7 tetorit: Kujtesa të mos i dorëzohet indiferencës
Izraeli shënon tre vjet nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, ku u vranë 1200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Kryeministri Edi Rama u shpreh se plagët e asaj dite vijojnë dhe kujtoi vizitën e tij në Nova.

Izraeli përkujtoi sot trevjetorin e 7 tetorit, ditës kur Hamas vrau 1200 persona dhe mori peng 251 të tjerë. Me këtë rast, kryeministri Edi Rama publikoi një mesazh në rrjetet sociale, duke theksuar se pasojat për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit “vazhdojnë edhe sot”.
Rama kujtoi vizitën e tij më herët këtë vit në Nova, vendin ku më 7 tetor 2023 po zhvillohej festivali muzikor ku mbetën të vrarë shumë të rinj. “Ka vende ku heshtja flet më shumë se fjalët, dhe Nova është një prej tyre”, shkroi ai.
Kreu i qeverisë theksoi vlerën e “Besës” si një premtim moral të patundur, duke sjellë në vëmendje shembullin e shqiptarëve që strehuan hebrenj gjatë Holokaustit. Sipas tij, kjo trashëgimi “kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës” dhe që antisemitizmi të mos fshihet pas heshtjes apo justifikimeve.
Rama bëri thirrje për qëndrim pranë miqve “edhe në orët e tyre më të errëta”, duke shprehur ngushëllime për familjet që kujtojnë të afërmit e humbur në sulmet e 7 tetorit. “Kujtimi i të dashurve tuaj qoftë një bekim i përjetshëm,” përfundoi ai.











