Qeveria: Ecën bypass-i i Elbasanit, nisin hapat për elektrifikimin e hekurudhës Tiranë–Durrës
Ministri Enea Karakaçi njoftoi se janë nënshkruar kontratat për dy fazat e para të bypass-it të Elbasanit dhe se në buxhetin e vitit 2027 parashikohet vijimi i fazave të tjera. Për linjën Tiranë–Durrës u tha se kontratat janë lidhur dhe po kalon në elektrifikim.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, 7 tetor, deklaroi se punimet për bypass-in e Elbasanit dhe projektin hekurudhor Tiranë–Durrës me stacion kryesor aeroportin kanë avancuar.
Sipas ministrit, për bypass-in e Elbasanit janë lidhur kontratat për dy fazat e para, në segmentin ku përfundon autostrada Elbasan–Librazhd, dhe punimet kanë nisur të ecin. Ai shtoi se në buxhetin e vitit 2027 është parashikuar vijimi me fazat pasuese.
“Kemi lidhur kontratën për dy fazat e para... Janë lidhur kontrata dhe ka avancuar punimi. Edhe në buxhetin 2027 ne vazhdojmë me fazat pasuese për bypass-in e Elbasanit”, tha Karakaçi.
Për hekurudhën Tiranë–Durrës, me stacion kryesor aeroportin, Karakaçi theksoi se të gjitha kontratat janë nënshkruar dhe tashmë pritet të nisë faza e elektrifikimit të linjës.
“Të gjitha kontratat janë lidhur. Tani do të vazhdojmë me fazën e elektrifikimit të linjës. Më pas do të kemi edhe finalizimin e këtij procesi”, u shpreh ministri.
Sipas tij, këto hapa synojnë të përshpejtojnë përfundimin e projekteve kryesore të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, me vijimësi të planifikuar në buxhetet e ardhshme.











