Librazhd: Arrestohet 27-vjeçar, dyshohet për shpërndarje droge pranë shkollave
Policia e Librazhdit arrestoi një 27-vjeçar që dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në doza pranë institucioneve arsimore. Gjatë operacionit “Zhvendosja” u sekuestruan kokainë, cannabis, mjet prerës, tre telefona dhe një automjet i drejtuar pa leje.

Një 27-vjeçar u vu në pranga në Librazhd, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në doza pranë institucioneve arsimore. Veprimi u finalizua nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Zhvendosja”.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit fizik, të arrestuarit iu gjetën sasi të kokainës dhe të Cannabis Sativa, të ndara në dhjetëra doza dhe të gatshme për shitje. Gjithashtu u sekuestruan tre telefona celularë, një thikë dhe automjeti që ai drejtonte pa leje drejtimi.
Autoritetet bëjnë me dije se nga hetimet e deritanishme dyshohet se 27-vjeçari ishte akomoduar përkohësisht në Librazhd dhe ndryshonte shpesh vendbanimin, me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të objekteve arsimore.
Një 21-vjeçar që e shoqëronte u procedua në gjendje të lirë; atij iu gjet gjatë kontrollit një mjet prerës, thikë.











