IKMT shemb tre furra artizanale në Krastë të Krujës ku digjeshin goma e mbetje plastike
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërhyri mëngjesin e së mërkurës në Krastë të Krujës, duke shkatërruar tre furra artizanale të gëlqeres. Aksioni u ndërmor pas një ankese dhe rasti u referua në polici për identifikimin e përgjegjësve.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ndërhyri mëngjesin e së mërkurës në Krastë të Krujës, duke shkatërruar tre furra artizanale të gëlqeres ku, sipas inspektorëve, digjeshin goma dhe mbetje plastike.
Sipas të dhënave zyrtare, ekipet e IKMT-së shkuan në terren pas një ankese të mbërritur në institucion dhe kryen verifikimet përkatëse.
Pas kontrollit, u vendos shembja e strukturave të furrave, të cilat përdoreshin për djegien e materialeve të përmendura.
Institucioni bëri të ditur se rasti është referuar gjithashtu në polici, me qëllim identifikimin e personave përgjegjës.
Aksioni vjen në kuadër të ndërhyrjeve inspektuese për zbatimin e rregullave në territor.











