Demo në Akademinë e Sigurisë: Fokus te integriteti dhe paga më të larta për Policinë e Shtetit
Ministri i Brendshëm Ervin Demo u tha studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë se brezi i ri duhet të sjellë standarde të reja në Policinë e Shtetit, duke njoftuar edhe një rritje të konsiderueshme pagash për personelin. Ai kërkoi polici moderne, me integritet dhe zero kompromis me korrupsionin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u adresua para studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë, ku theksoi se brezi i ri i Policisë së Shtetit duhet të vendosë standarde të reja profesionalizmi, integriteti dhe shërbimi ndaj qytetarëve. Ai njoftoi se është në përgatitje një rritje e konsiderueshme pagash për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit.
“Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet”, u shpreh ministri, duke kërkuar që qytetari të mbetet në qendër të punës së policisë dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.
Demo nënvizoi se sfidat e reja të sigurisë kërkojnë njohuri, teknologji, përgatitje të vazhdueshme dhe theks te parandalimi, pasi krimi po sofistikohet. Ai bëri thirrje për “zero kompromis” me korrupsionin.
Duke iu referuar trajtimit të trupës, ministri tha se procesi për rritjen e pagave po ecën dhe se pritet një përmirësim i dukshëm: “Do të jetë një rritje e konsiderueshme”, duke shtuar se të rinjtë që do të hyjnë në detyrë “do të jenë trajtuar më mirë se paraardhësit”.
Shefi i dikasterit e lidhi këtë qasje me objektivin e integrimit evropian, duke theksuar synimin që Shqipëria të përmbyllë kapitujt e negociatave deri në vitin 2027, çka kërkon ngritje standardesh edhe në Policinë e Shtetit dhe në formimin që ofron Akademia e Sigurisë.
Ai vlerësoi rolin e stafit akademik dhe kërkoi një “kërcim cilësie” në përgatitjen e efektivëve, duke kombinuar energjinë e brezit të ri me përvojën e akumuluar në vite në radhët e policisë.











