BE sinjalizon: Traktati i anëtarësimit me Malin e Zi mund të nënshkruhet verën e ardhshme
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se Komisioni po përgatit traktatin e anëtarësimit për Malin e Zi, me synim nënshkrimin verën e ardhshme. Ajo paralajmëroi se pas ratifikimit, vendi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Mali i Zi mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian verën e ardhshme, duke folur para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Sipas saj, pjesa teknike e negociatave me Malin e Zi mund të finalizohet deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa Komisioni Evropian tashmë është duke hartuar traktatin e anëtarësimit.
“Pastaj vijon procesi i ratifikimit, i cili mund të zgjasë nga një deri në dy vjet... Kjo do të thotë se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028”,tha Kos.
Mali i Zi konsiderohet kandidati më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Deri më tani, ai ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave dhe synon përmbylljen e tyre deri në fund të këtij viti.
Komisioni Evropian ka miratuar më 6 tetor një qasje të re për vendet e ardhshme anëtare, të cilën do ta zbatojë së pari në marrëveshjen me Malin e Zi dhe më pas në traktatet e tjera të anëtarësimit.
Zgjerimi i BE-së pritet të jetë në fokus të samitit të liderëve më 15–16 tetor në Bruksel, ku do të shqyrtohen edhe perspektivat për përfundimin e negociatave me Malin e Zi. Një draft i konkluzioneve thekson se Këshilli Evropian mirëpret punën për hartimin e traktatit dhe vëren synimin për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit.
Në fund të tetorit, Komisioni do të paraqesë udhërrëfyes kuadër për katër vendet më të avancuara: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Këto dokumente kërkojnë ruajtjen e ritmit të reformave, nuk paragjykojnë rezultatin apo dinamikën e negociatave dhe shërbejnë si bazë për punën e Këshillit të BE-së.











