BE shpreh shqetësim për ndryshimet në Ligjin për Specialen, kërkon respektimin e detyrimeve
Bashkimi Evropian reagoi pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë, duke i cilësuar ato në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të vendit. Brukseli gjithashtu përshëndeti zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës presidente dhe kërkoi rikthim të stabilitetit institucional.

Bashkimi Evropian deklaroi se është thellësisht i shqetësuar pas votimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuara natën e së martës në Prishtinë, duke i vlerësuar ato si në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Pak orë pas miratimit të ligjit, Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka Pulën presidente të vendit, zhvillim që u përshëndet nga Brukseli, i cili e sheh si hap drejt daljes nga bllokada institucionale që, sipas tij, e ka shoqëruar Kosovën që nga viti 2025.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha një zëdhënës i BE-së.
Zëdhënësi nënvizoi se BE-ja ka mbështetur vazhdimisht Dhomat e Specializuara si institucion i pavarur gjyqësor dhe kërkoi që mandati dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht. Sipas tij, këto dhoma po vendosin drejtësi mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale.
Ndryshimet ligjore, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, u miratuan në lexim të dytë para votimit për presidenten, duke mbyllur procedurën parlamentare për një paketë që kufizon kompetencat e asaj që njihet si Gjykata Speciale. Seanca e jashtëzakonshme nisi në orët e vona të 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Shiroka Pula të kandidojë për presidente, ndërsa protestat kundër ndryshimeve vazhduan edhe atë ditë, pas përplasjeve të një dite më herët mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.
BE-ja tha se pret rikthim të stabilitetit institucional dhe përparim të Kosovës në rrugën evropiane, përfshirë reformat e Planit të Rritjes dhe Reformave, zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së. Dhomat e Specializuara, të ngritura mbi bazën e shkëmbimit të letrave të vitit 2014 mes udhëheqjes së atëhershme të Kosovës dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, kanë seli në Hagë, janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe financohen kryesisht nga BE-ja me gati 400 milionë euro që nga themelimi.











