18-vjeçari humb jetën pasi u përplas nga makinë pranë Bulgarecit
Një i ri rreth 18 vjeç ndërroi jetë në spital pasi u përplas nga një automjet mbrëmjen e sotme në aksin Korçë–Pogradec, pranë fshatit Bulgarec. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në komisariat, ndërsa po hetohen shkaqet e aksidentit.

Një aksident me pasoja fatale u regjistrua mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 19:45, në aksin rrugor Korçë–Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec. Një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga shtetasi L. S., përplasi një këmbësor rreth 18 vjeç, i identifikuar si F. M.
I riu u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku më pas ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
“Automjeti tip ‘Benz’, me drejtues shtetasin L. S., ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin F. M., rreth 18 vjeç, i cili ndërroi jetë në spital.”
Policia bëri të ditur se drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, ndërsa ekspertët e Qarkullimit Rrugor po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.











