Rubio: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk po diskutohet tani; prioriteti është fundi i luftës
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në Reykjavik se antarësimi i Ukrainës në NATO nuk është aktualisht në tryezë. Sipas tij, prioritet i SHBA-ve është të ndihmojnë për t’i dhënë fund luftës.

Marco Rubio deklaroi në një konferencë të përbashkët për media në Reykjavik se hyrja e Ukrainës në NATO “nuk është aktualisht pjesë e diskutimeve”, duke theksuar se fokusi i Shteteve të Bashkuara mbetet përfundimi i luftës.
Ai tha se Washingtoni synon të kontribuojë në mënyrë konstruktive në përpjekjet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa zhvillimet në terren nuk po e lehtësojnë këtë proces.
“E kemi bërë të qartë: nëse ka ndonjë rol që mund të luajmë për t’i dhënë fund kësaj lufte, duam të luajmë një rol konstruktiv”, tha Rubio.
I pyetur për perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, Rubio u shpreh se nuk ka “një përgjigje të qartë” për momentin, duke lënë të hapur rishikimin e kësaj teme në një fazë të mëvonshme.
Sipas tij, e ardhmja e statusit dhe garancive të sigurisë për Ukrainën do të varet nga ecuria e negociatave dhe nga zhvillimet e mëtejshme.











