Pa president deri më 6 tetor? Çfarë ndodh dhe kush ushtron kompetencat në Kosovë
Afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit në Kosovë përfundon më 6 tetor. Nëse Kuvendi dështon, shpërndarja është automatike, por mbetet paqartë kush i ushtron kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit të përkohshëm.

Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri deri më 6 tetor, sipas afatit 60-ditor që Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se nisi më 8 gusht. Nëse Kuvendi nuk e realizon këtë, ai shpërndahet automatikisht dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 45 ditësh. Dilema mbetet se kush do të ushtrojë kompetencat e kreut të shtetit pas kësaj.
Në rrethana normale, këto kompetenca i kalojnë kryetares së Kuvendit si ushtruese detyre. Por rasti aktual është i ndërlikuar: Albulena Haxhiu e ka ushtruar këtë rol për gjashtë muaj, që nga 4 prilli, dhe sipas nenit 90 të Kushtetutës, ushtrimi i detyrës nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj. Ky afat përfundoi të dielën, më 4 tetor.
Pikërisht këtu shfaqet zbrazëtia kushtetuese: Kushtetuta nuk sqaron se kush i merr kompetencat pas skadimit të periudhës gjashtëmujore, nëse presidenti i ri ende nuk është zgjedhur. Organizata të shoqërisë civile e lexojnë këtë kufi si absolut, ndërsa Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar që çështja t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për sqarim, përfshirë autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve pas 4 tetorit.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi paralajmëron rrezik të kaosit institucional, pasi disa funksione shtetërore mund të mbeten pa bartës.
“Presidenti është edhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nëse vendi mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre me mandat të vlefshëm, nuk do të ketë as person që e ushtron këtë funksion”,thotë ai, duke theksuar se zgjidhja e përkohshme është menduar për t’i dhënë kohë partive të arrijnë marrëveshje.
Gjykata Kushtetuese deri tani nuk e ka adresuar shprehimisht këtë vakuum. KDI sugjeron që kryetarja e Kuvendit ose palë të tjera të autorizuara t’i kërkojnë interpretim Gjykatës për ushtrimin e kompetencave pas 4 tetorit dhe për autoritetin e shpalljes së zgjedhjeve nëse Kuvendi shpërndahet pa zgjedhur presidentin.
Sipas Jakajt, një opsion urgjent do të ishte zhvillimi i votimit në Kuvend, edhe nëse dështimi është i pritshëm, në mënyrë që ushtruesja e detyrës të mund të thërrasë partitë dhe të caktojë datën e zgjedhjeve; më pas, legjislatura e re do të mblidhej dhe do të procedonte me zgjedhjen e presidentit dhe hapat e tjerë kushtetues.











