Operacion policor në Vjenë çmonton grup droge: 6 të arrestuar, mes tyre 3 shqiptarë; 11 kg kokainë
Policia e Vjenës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për trafik narkotikësh në zonën e Schwechat-it, pranë kryeqytetit. Gjatë kontrollit të një dhome hoteli në Austrinë e Poshtme u sekuestruan rreth 11 kg kokainë.

Policia e Vjenës ka vënë në pranga gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në trafik droge gjatë një operacioni pranë qytetit Schwechat, afër kryeqytetit austriak. Sipas zëdhënëses së policisë Irina Steirer, veprimi u koordinua nga Landeskriminalamt me mbështetjen e njësisë speciale WEGA.
Mes të arrestuarve janë tre shtetas shqiptarë, të moshave 46, 42 dhe 38 vjeç, si dhe tre shtetas italianë, 72, 53 dhe 23 vjeç. Ata dyshohet se vepronin si pjesë e një grupi të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Hetimet nga Policia Kriminale e Vjenës kishin nisur në fillim të qershorit 2026. Të enjten e kaluar, hetuesit lokalizuan grupin dhe vendosën nën vëzhgim një prej personave të dyshuar, me asistencën e njësisë WEGA.
Gjatë operacionit u sekuestrua një kartë-çelës hoteli, e cila çoi policinë në një dhomë në Austrinë e Poshtme. Aty u gjetën rreth 11 kilogramë kokainë, para cash dhe disa telefona celularë.
Autoritetet austriake nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi identitetin e të arrestuarve apo vlerën e sasisë së drogës së sekuestruar. Hetimet vijojnë.











