Ligji për Specialen kalon në lexim të dytë: kufizim i juridiksionit dhe transferim i çështjeve në Kosovë
Kuvendi i Kosovës miratoi me 88 vota në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara. Propozimi i PDK-së synon kufizim kohor e lëndor të juridiksionit dhe transferimin e një sërë procedurash në organet vendore.

Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara me 88 vota. Për ndryshimet votuan deputetë nga LVV, PDK dhe Aleanca, ndërsa deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim. Projektligji u miratua me një amendament.
Propozimi i PDK-së parasheh kufizimin e mandatit lëndor, kohor dhe territorial të gjykatës me seli në Hagë. Aktualisht, ligji i jep juridiksion për veprat mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, ndërsa me ndryshimet e propozuara synohet ngushtimi i periudhës vetëm pas luftës, nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Neni 2 e orienton juridiksionin në vepra specifike të lidhura me nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore, siç identifikohen dhe pretendohet në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Po ashtu përfshihen vrasja e paligjshme, tortura ose trajtimi mizor e çnjerëzor në vendet specifike të ndalimit të emërtuara në Raport, kur këto akte lidhen drejtpërdrejt me marrjen e organeve.
Në të njëjtin nen theksohet se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion lëndor mbi krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike në Kosovë që nuk përbëjnë element të drejtpërdrejtë të akteve të përmendura.
Neni 6 parashikon që procedurat aktive jashtë juridiksionit të ri, përfshirë aktakuzat e konfirmuara dhe gjykimet, të transferohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kallëzimet penale, hetimet dhe dosjet e ndjekjes t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Për personat e paraburgosur është paraparë transferimi në Kosovë dhe paraqitja para gjyqtarit kompetent brenda 48 orëve nga mbërritja, me shqyrtim të pavarur për ligjshmërinë e masave. Projektligji përcakton gjithashtu se Specialja mund të shqiptojë dënime jo më të gjata se 15 vjet, ndërsa të dënuarit me aktgjykim të formës së prerë mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Kosovës.
Nisma u paraqit pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me gjithsej 81 vjet heqje lirie.











