Kurti propozon Justinën Shiroka Pulën për presidente dhe kërkon angazhim të PDK-së për votim
Kryeministri Albin Kurti propozoi Justinën Shiroka Pulën për presidente dhe ofroi votat e LVV-së për ndryshimet në ligjin për Specialen, nëse PDK zotohet të marrë pjesë në votimin për kreun e shtetit. Bedri Hamza e quajti joserioz propozimin, duke kërkuar marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi të mërkurën në një konferencë për media kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, si kandidate për presidente. Ai e lidhi propozimin me një ofertë parlamentare: votat e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimet në lexim të dytë të ligjit për Dhomat e Specializuara, nëse Partia Demokratike e Kosovës garanton pjesëmarrje në votimin për president.
Kurti tha se është i gatshëm për një seancë me dy pika, fillimisht leximin e dytë të projektligjit për Specialen, e më pas votimin për kreun e shtetit.
“Pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Gjykatën Speciale e ka votën tonë, dhe pastaj votimi për presidente, profesoresha Justina Shiroka-Pula.”
I pyetur nëse ka komunikuar me Shiroka Pulën, Kurti u përgjigj se ajo ka qenë ministre nga radhët e PDK-së, duke shtuar se këtë mund ta adresojë kreu i PDK-së.
“Ajo ka qenë ministre e PDK-së, le ta bind, kryetari Bedri Hamza, unë jam dakord.”
Më herët, Kurti i kishte kërkuar PDK-së të mbështesë një nga dy emrat Glauk Konjufca ose Feride Rushiti për president, në këmbim të votave të LVV-së për ligjin mbi Dhomat e Specializuara. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi joserioz për vendin propozimin e fundit, duke theksuar se ligji duhet të kalojë, por se për çështjen e presidentit nevojitet marrëveshje.
Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori. Nëse Kuvendi dështon të sigurojë votat e nevojshme, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.











