Kurti ofron votat për ndryshimet te Specialja, kërkon garanci të PDK-së për votimin e presidentit
Kryeministri Albin Kurti i propozon PDK-së që Vetëvendosje të votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, nëse grupi i tyre parlamentar merr pjesë në votimin për president. Ai përmendi si kandidatë Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, ndërsa rikujtoi edhe emrin e Bekim Sejdiut.

Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, doli mbrëmjen e së shtunës me një propozim për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), pak orë para se vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Ai tha se është i gatshëm të sigurojë votat për leximin e dytë të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, nëse PDK-ja zotohet të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.
Kandidaturat që Kurti vuri në tryezë për postin e presidentit janë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe aktivistja e shoqërisë civile, Feride Rushiti. Ai kujtoi se këto emra ishin propozuar edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kreu i VV-së përmendi gjithashtu se PDK-ja e kishte refuzuar ofertën që të mbështetej Bekim Sejdiu, por la të hapur mundësinë e rikthimit të tij në garë nëse opozita jep një përgjigje pozitive.
Kurti kërkoi një zotim publik nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, që i gjithë grupi parlamentar i partisë do të marrë pjesë në seancën e votimit për presidentin, qoftë duke votuar pro, kundër apo duke abstenuar. “Pas këtij zotimi, ne ua votojmë leximin e dytë të ligjit... dhe menjëherë pas kësaj kalojmë në votimin për presidentin”, tha ai.
Ai u ndal edhe te afati 72-orësh midis dy leximeve të një ligji, duke theksuar se janë të gatshëm të procedojnë me votimin e dytë të ndryshimeve për Specialen, nëse PDK-ja e konsideron se mosrespektimi i këtij afati nuk paraqet problem.











