IKMT ndal dy mjete me lëndë drusore pa dokumente në Shkodër
Inspektorët e IKMT-së bllokuan dy mjete që transportonin material drusor pa dokumentacion në akset rrugore të qarkut Shkodër. Sasia e druve dhe mjetet u sekuestruan, ndërsa u kryen veprimet ligjore.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) njoftoi se ka bllokuar dy raste të transportit të paligjshëm të lëndës drusore gjatë patrullimeve në rrugët e qarkut Shkodër.
Gjatë kontrollit në aksin Koplik–Dedaj Razëm, në vendin e quajtur Bzhedë, u ndalua një mjet tip “IFA” që transportonte dru ahu pa dokumentacion tekniko‑ligjor që vërteton origjinën e mallit.
Një tjetër rast u konstatua në segmentin “Koplik–Reç–Dedaj”, në Fshatin Reç, ku një furgon ishte i ngarkuar me lëndë drusore pa dokumente shoqëruese.
Sipas IKMT, për të dyja rastet u ndërmorën veprimet ligjore përkatëse, ndërsa mjetet dhe sasia e druve u bllokuan.
Materiali drusor i sekuestruar u vu në dispozicion të Bashkisë së Malësisë së Madhe.











