Hetimet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja mbyllen; në gjyq Elvis dhe Gjon Shkambi
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe ka dërguar çështjen në gjyq ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit. Në proces është edhe një punonjës sigurie, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur një vit më parë. Në bankën e të pandehurve do të përballen Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi.
Sipas organit të akuzës, Elvis Shkambi do të gjykohet për tre vepra penale: “Vrasje të funksionarëve publikë”, tentativë vrasjeje në rrethana cilësuese dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjon Shkambi akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese”.
Po ashtu, për këtë ngjarje është dërguar në gjyq edhe punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit më 6 tetor 2025, menjëherë pasi shpalli një vendim në një çështje pronësie mes dy palëve në proces.
Ai ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit Universitar të Traumës. Ngjarja u cilësua ndër më të rëndat e të paktën dy dekadave të fundit.











