Hamza: Shiroka-Pula e pranueshme për presidente; PDK nxjerr si kundërkandidate Eliza Hoxhën
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia do të marrë pjesë në seancë, ku pret fillimisht votimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe më pas zgjedhjen e presidentes. Ai e quajti të pranueshëm emrin e Justina Shiroka-Pulës, ndërsa paralajmëroi kandidimin e deputetes Eliza Hoxha si kundërkandidate.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se Justina Shiroka-Pula është e pranueshme për këtë parti si kandidate për presidente të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se PDK do të paraqesë edhe deputeten Eliza Hoxha si kundërkandidate.
Hamza njoftoi se PDK do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit dhe se pret që fillimisht të votohet projektligji për Dhomat e Specializuara, e më pas të procedohet me votimin për presidenten.
“22 deputetët e PDK-së janë këtu. Orët e fundit s’është dashur të ndodhë kjo, por shumë më herët. Është dashur të ketë seriozitet në këtë çështje”, tha ai në një konferencë për media.
Sipas Hamzës, ndonëse nuk ka pasur bisedime me Shiroka-Pulën, ajo mbetet “emër i pranueshëm” për PDK-në për postin e presidentes.
Ai bëri të ditur se PDK do të propozojë edhe Eliza Hoxhën si kundërkandidate. “PDK-ja e propozon si kundërkandidate zonjën Eliza Hoxha. PDK nuk pranon të ketë kandidate përveç këtyre dyjave. Ne po shkojmë në Kuvend, presim. Koha është e shkurtër. Jemi të interesuar ta kemi ligjin”, u shpreh Hamza.











