BE rishikon kuadrin e zgjerimit; Shqipëria ndër vendet më të avancuara, pritet udhërrëfyes në 2026
Komisioni Europian ka zyrtarizuar rishikimin e politikave para zgjerimit, duke konfirmuar Shqipërinë si ndër vendet që kryesojnë procesin. Dokumenti parashikon një udhërrëfyes specifik për anëtarësimin e Shqipërisë në Paketën e Zgjerimit 2026.

Komisioni Europian ka miratuar rishikimin e politikave para zgjerimit, duke përcaktuar reformimet institucionale, të qeverisjes dhe mekanizmat mbrojtës që do të shoqërojnë valën e ardhshme të anëtarësimeve. Dokumenti, që pason vizitën e fundit të Ursula von der Leyen në Tiranë, konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një nga vendet më të avancuara dhe parashikon përfshirjen e një udhërrëfyesi specifik për anëtarësimin e saj në Paketën e Zgjerimit 2026.
Sipas rishikimit, reformat e brendshme të BE-së dhe përparimi i vendeve kandidate do të ecin në mënyrë paralele. Nuk kërkohet një rikonceptim i plotë i strukturave të Unionit për të pranuar anëtarë të rinj, ndërsa zbatimi i parimit “Integrimi përmes Projektimit” do të përfshijë skenarët e zgjerimit në hartimin e politikave dhe të Kuadrit Financiar Shumëvjeçar 2028–2034, me synim ruajtjen e aftësisë vepruese dhe forcimin e sigurisë e stabilitetit europian.
Tre shtyllat kryesore reformuese
Së pari, propozohet rishikimi i mekanizmit të Nenit 7 për shkeljet e rënda të shtetit të së drejtës, përmes zbatimit të “shumicës së cilësuar të kundërt” (Reverse QMV). Kjo do të lejonte që një vendim i Komisionit për sanksione të hyjë automatikisht në fuqi, përveç rasteve kur shtetet anëtare arrijnë shumicën e nevojshme për ta rrëzuar, me synim rritjen e efektshmërisë në mbrojtjen e vlerave të BE-së.
Së dyti, parashikohen garanci të rrepta financiare, përfshirë ngrirjen ose kufizimin e fondeve të reja të Unionit nëse një vend anëtar ose kandidat nuk zbaton angazhimet apo bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës. Së treti, rregullat e reja sanksionojnë të drejta të barabarta për anëtarët e rinj me 27 vendet aktuale, përfshirë komisionerin dhe të drejtën e vetos, ndërsa nxitja është që vetoja të mos përdoret për mosmarrëveshje dypalëshe që lidhen me procesin e zgjerimit.
Kuadri ri mbështet modelin e “Integrimit Gradual”, të bazuar në meritë, që i jep Shqipërisë qasje progresive në sektorë e programe kyçe përpara anëtarësimit të plotë. Fokuset përfshijnë sigurinë kibernetike, mobilitetin ushtarak, përfshirjen në SEPA dhe rrjetet trans-europiane të energjisë, me pritshmëri për përfitime të prekshme ekonomike e infrastrukturore.
Dokumenti e konsideron mbështetjen për zgjerimin si një investim me përfitime që tejkalojnë kostot për qytetarët e BE-së, duke theksuar se afrimi i vendeve me progres më të madh, si Mali i Zi dhe Shqipëria, do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin përmes zgjerimit të tregut dhe hapësirës europiane. Rishikimi jep një sinjal politik për mbështetjen e objektivit “Shqipëria 2030”, ndërsa nënvizohet se reformat dhe konsensusi kombëtar mbeten thelbësore në rrugën drejt anëtarësimit të plotë brenda kësaj dekade.











