Sulmi me armë ndaj rezidencës së Rihanna, e akuzuara rrezikon burgim të përjetshëm

Gruaja që akuzohet se qëlloi me armë drejt rezidencës së këngëtares me famë botërore Rihanna në Kaliforninë Jugore po përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm. Prokuroria e Los Angeles ka ngritur akuza të rënda ndaj Ivana Lisette Ortiz, e cila dyshohet se hapi zjarr disa herë drejt pronës ndërsa aty ndodheshin Rihanna, partneri i saj A$AP Rocky dhe tre fëmijët e çiftit.
Ortiz përballet me një akuzë për tentativë vrasjeje, 10 akuza për sulm me armë dhe tre akuza për të shtëna me armë drejt një banese. Nëse shpallet fajtore, ajo mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm.
Prokurori i Distriktit të Los Angeles, Nathan J. Hochman, e cilësoi sulmin me armë ndaj një banese si një vepër të rëndë dhe të dhunshme, duke theksuar se qytetarët duhet të ndihen të sigurt brenda shtëpive të tyre dhe në zonat përreth.
Ortiz është deklaruar e pafajshme për akuzat. Gjykata ka caktuar një garanci prej 2.65 milionë dollarësh për lirimin e saj, ndërsa seanca e ardhshme gjyqësore pritet të zhvillohet më 29 tetor.
Ngjarja ndodhi pasditen e 8 marsit. Sipas akuzës, Ortiz udhëtoi me automjet drejt rezidencës së Rihanna-s dhe qëlloi disa herë me një pushkë sulmi.
Në atë moment, Rihanna, 38 vjeçe, ndodhej në një rimorkio në oborrin e pronës së bashku me partnerin e saj, reperin A$AP Rocky. Tre fëmijët e çiftit ndodheshin në dhomën e tyre të gjumit, ndërsa në pronë kishte edhe persona të tjerë.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se, përpara sulmit, Ortiz kishte publikuar video në rrjetet sociale ku shprehte qëndrime agresive ndaj këngëtares dhe tregonte një interes të vazhdueshëm për të.











