Apeli i zbut masën e sigurisë, reagon Joz Marku

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku, duke vendosur që ai të qëndrojë nën masën “detyrim paraqitje”.
Pas vendimit të gjykatës, Marku ka reaguar në rrjetet sociale me një postim që duket se i referohet periudhës së vështirë që po kalon, edhe pse nuk përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen penale apo vendimin e Apelit.
Në një “Instastory”, këngëtari ka publikuar një fotografi të tij dhe ka shkruar një mesazh me tone emocionale, ku flet për një “diell” që e shoqëron dhe i jep forcë në momente të vështira.
“Ka një diell që m’shoqnon kudo… Ma ndriçon rrugën edhe atëherë kur përreth bëhet errësirë. Nuk më tregon vetëm ku të shkoj, por më kujton çdo ditë të mos ndalem së ndriçuar edhe vetë. Ju Dua.”
Marku e ka shoqëruar postimin edhe me këngën e tij “Ylli i mbrëmjes”, duke i dhënë reagimit një tjetër dimension simbolik.
Këngëtari u arrestua në fillim të shtatorit, pasi u publikuan pamje filmike ku, sipas akuzave të ngritura lidhur me ngjarjen, ai dhe persona të tjerë shfaqeshin duke dhunuar Eduard Kuçin.
Tashmë, pas vendimit të Apelit, Marku do ta vijojë procesin nën masën e “detyrimit për paraqitje”.












