Gjergj Leka rrëfen të papriturat e rinisë: Më çuan për dënim te NPV, vetëm unë mashkull dhe 2700 femra

Këngëtari dhe kompozitori Gjergj Leka ka rrëfyer në emision disa prej kujtimeve më të veçanta nga fëmijëria, adoleshenca dhe rinia e tij, duke theksuar se nuk do të ndryshonte asgjë nga jeta që ka bërë.
Leka tha se vitet e rinisë i ka kaluar pranë njerëzve më të mëdhenj në moshë dhe më me përvojë, të cilët, sipas tij, kanë qenë “shkolla e vërtetë e jetës”.
“Edhe po të rikthehesha, nuk do t’i hiqja asnjë presje, do të jetoja të njëjtën jetë. Unë kam pasur fatin që fëmijërinë time dhe moshën e adoleshencës e kam kaluar me njerëz më të mëdhenj se unë, me më shumë tru se unë, dhe ka qenë shkolla e vërtetë e jetës”, u shpreh ai.
Duke folur për muzikën e asaj kohe, kompozitori kujtoi edhe mënyrën se si funksiononte skena artistike, kur këngëtarët duhej të kalonin përpara komisioneve dhe performancat realizoheshin pa playback.
“Kur më pyesin për bëmat e rinisë, qesh dhe tregoj vetëm ato që dua. Sikur t’i kishim sot të mirat që na ka dhënë ajo kohë në muzikë, për shembull, atëherë nuk kishte playback, do të kaloje në komisione që të të shihnin kush ishe”, tregoi Leka.
Ai zbuloi gjithashtu se nuk ka punuar asnjëherë në administratën shtetërore, ndërsa pjesën më të madhe të jetës profesionale e ka kaluar në sektorin privat.
“Unë nuk kam pension, nuk kam pranuar kurrë të punoj në shtet. Kam punuar në privat që 16 vjeç. Të vetmet vite pune që kam, janë vitet e ushtrisë”, tha ai.
Por një prej episodeve më pikante që solli në kujtesë ishte një ngjarje nga rinia, kur u largua nga skena dhe u dërgua të punonte në një ndërmarrje, në atë që ai e përshkroi si një lloj “dënimi”.
“Një herë më hoqën nga skena. Jo flokët e gjata, jo pantallonat e gjera, më çuan për dënim te NPV (Ndërmarrja e Prodhimit të Veshjeve): një mashkull dhe 2700 femra. Nuk doja më të ikja nga atje. Më paguanin si piktor”, rrëfeu me humor Gjergj Leka.
Pavarësisht episodeve të ndryshme që ka përjetuar ndër vite, Leka tha se, po të kishte mundësinë ta jetonte edhe një herë jetën e tij, nuk do të ndryshonte asgjë nga rrugëtimi që ka bërë.











