Protesta kundër qeverisë Rama, Egla Ceno thirrje qytetarëve: Kush është shqiptar e di vetë se ku duhet të jetë!

Ndërsa protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e 113-të, aktorja Egla Ceno ka reaguar në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në tubim.
Ceno ka publikuar një fotografi nga protesta e një dite më parë, duke u shprehur se qytetarët duhet të vendosin vetë nëse do t’i bashkohen protestës. Në mesazhin e saj, ajo i referohet gjithashtu nevojës për unitet dhe dinjitet.
“Day 112. Nuk i them njeriu “çohu nga kafja”. Nuk i them askujt “nesër më shumë”. Kush është Shqiptar e di vet ku duhet të jetë. Mos u përçani nga disa “elementë” që shit-blihen si prostituta rruge. Dëgjoni instiktin tuaj, nevojat tuaja. Shikoni cilësinë e ditës tuaj dhe vendosni. Dinjitet, asgjë më shumë, asgjë më pak”, ka shkruar ajo krahas fotos së publikuar.
Aktorja është përfshirë ditët e fundit edhe në debatin për Reformën Territoriale, duke kundërshtuar propozimin për shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Ceno ishte e pranishme më 13 shtator në një takim të zhvilluar në Berat për Reformën Territoriale, ku pati një përplasje verbale me kryeministrin Edi Rama. Sipas rrëfimit të saj, Rama i kërkoi të largohej nga salla pasi ajo kërkoi të merrte fjalën. Pas debatit, përfaqësuesit e ardhur nga Poliçani u larguan nga takimi.











