Vdekja e Hayden Panettiere merr kthesë të fortë, hetuesit dyshojnë te pilula e përzier me fentanyl

Hetimi për vdekjen e papritur të aktores Hayden Panettiere ka marrë një kthesë të re. Autoritetet amerikane po fokusohen te substancat që ajo dyshohet se kishte konsumuar pak para se të gjendej pa ndjenja në një banesë në Greenville, Karolina e Jugut.
Panettiere, e njohur për rolet e saj në serialet “Heroes” dhe “Nashville”, u gjet pa ndjenja dhe në arrest kardiak më 16 gusht. Aktorja, e cila ishte vetëm 36 vjeçe, nuk mundi të reanimohej dhe u shpall e vdekur në vendngjarje.
Sipas raportimeve të reja nga mediat amerikane, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që një pilulë oksikodoni e marrë nga Panettiere të ketë qenë e përzier me fentanil, një opioid sintetik jashtëzakonisht i fuqishëm.
Burime të cituara nga TMZ dhe Page Six bëjnë me dije se aktorja kishte një furnizues droge në Los Angeles, i cili dyshohet se i siguronte medikamente me recetë, përfshirë oksikodonin. Tashmë autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse një prej pilulave që ajo konsumoi para vdekjes ishte e kontaminuar me fentanil.
Një burim i cituar nga Page Six pretendon se Panettiere mund të ketë marrë vetëm një pilulë në mëngjesin e vdekjes dhe se ajo dyshohet të ketë qenë e përzier me fentanil. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimi dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht si shkaku i vdekjes. Rezultatet përfundimtare të analizave toksikologjike ende nuk janë bërë publike.
Çështja tashmë është zgjeruar edhe në nivel federal. Agjentë të DEA-s kanë marrë në pyetje persona të lidhur me hetimin, ndërsa ish-partneri i aktores, Brian Hickerson, është intervistuar nga autoritetet. Hickerson ndodhej në banesë kur Panettiere u gjet pa ndjenja, por deri tani nuk është shpallur i dyshuar për vdekjen e saj.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është gjetja e Narcan-it në vendngjarje. Medikament përdoret për të kundërvepruar ndaj mbidozës nga opioidet. Edhe telefonata në 911 përmendi një rast të mundshëm mbidoze dhe arrest kardiak.
Ndërkohë, autopsia fillestare nuk evidentoi shenja traume që mund të shpjegonin vdekjen. Zyra e mjekut ligjor në Greenville ka bërë të ditur se shkaku dhe mënyra e vdekjes mbeten ende në pritje të hetimeve dhe analizave të mëtejshme.
Edhe nëna e aktores, Lesley Vogel, ka ngritur pikëpyetje mbi atë që ka ndodhur në orët e fundit të jetës së vajzës së saj, veçanërisht sa i përket versionit të dhënë nga Hickerson. Këto janë pretendime të saj dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
Vdekja e Panettiere ka shkaktuar reagime të shumta edhe për shkak të betejës së saj të dokumentuar me varësinë. Aktorja kishte folur publikisht për problemet me alkoolin, drogat dhe shëndetin mendor, ndërsa në kujtimet e saj kishte rrëfyer ndikimin që varësia kishte pasur në jetën dhe karrierën e saj.
Tashmë, një prej pyetjeve kryesore të hetimit është nëse një pilulë e kontaminuar me fentanil mund të ketë luajtur rol në vdekjen e aktores, si dhe nga ka ardhur pilula dhe kush ia ka siguruar atë.
Hetimi vijon, ndërsa autoritetet presin rezultatet përfundimtare toksikologjike, të cilat mund të jenë vendimtare për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Hayden Panettiere.











