Nga një hamburger te kërcënimet për biznesin, Kreshnik Gjergji përplaset publikisht me punëtorin e Fast Food-it

Një situatë e pazakontë ka përfshirë Kreshnik Gjergjin, bashkëshortin e këngëtares Dafina Zeqiri, i cili ka ndarë në rrjetet sociale një përvojë të ndodhur gjatë natës në një fast-food.
Gjergji tregoi se kishte porositur një hamburger, por në momentin e pagesës kishte kuptuar se nuk kishte para të imëta me vete. Sipas versionit të tij, ai i kishte kërkuar punëtorit që ta merrte ushqimin dhe pagesën ta kryente më vonë, por kërkesa nuk ishte pranuar.
Madje, sipas tij, hamburgeri i ishte kërkuar të kthehej.
“Ni i fikt n’shpirt mshtini me kthy bukën se spat t’imta”, shkroi Gjergji, duke e bërë publik incidentin.
Por historia nuk u mbyll me kaq. Në komentet e postimit reagoi një person që u prezantua si punëtori i lokalit dhe dha versionin e tij për atë që kishte ndodhur.
Punëtori pretendoi se Gjergji ishte sjellë në mënyrë të papërshtatshme dhe paralajmëroi se do të takoheshin, duke përmendur edhe një fotografi të bërë gjatë incidentit.
Pas këtij reagimi, Kreshnik Gjergji u përgjigj në mënyrë të ashpër, duke e akuzuar punëtorin se po gënjente.
“Drynin e k’tij sigur t’veç n’deksha une”, shkroi ai në një prej komenteve, ndërsa në një tjetër paralajmëroi se lokali do të përballej me pasoja.
“Ka mu fik me themel”, shkroi Gjergji.
Ai shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar se do t’i hapte konkurrencë biznesit në të njëjtën zonë.
“Une e di çka kam me t’i qel ntona anët, une i maj me minus krejt”, shkroi ai.
Në postimin e tij fillestar, Gjergji kishte deklaruar gjithashtu se ishte i gatshëm të merrte me qira një lokal në të njëjtën rrugë dhe të paguante hamburgerë për njerëzit që nuk kishin mundësi t’i blinin vetë.
Përplasja ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ndërsa deri tani të dyja palët kanë dhënë versionet e tyre për ngjarjen, duke e kthyer një incident të nisur për një hamburger në një debat publik.











