“A është dikush në jetën tënde?”/ Maya flet për dashurinë dy vite pas ndarjes

Këngëtarja Maya Aliçkaj ka folur hapur për jetën e saj private dhe statusin sentimental, duke zbuluar se aktualisht nuk ka një partner në jetën e saj.
Artistja tregoi në “Mes’drite” se jeton me djalin e saj, Jonas, dhe qenushen e familjes. E pyetur drejtpërdrejt nëse ka dikë në jetën e saj, Maya dha një përgjigje që e përmblodhi në vetëm një emër.
“A është dikush në jetën tënde tani?”
“Është Jonas”, u përgjigj këngëtarja, duke iu referuar djalit të saj.
Megjithatë, Maya e bëri të qartë se mungesa e një partneri nuk do të thotë se ajo e ka mbyllur derën ndaj dashurisë. Përkundrazi, ajo beson se dashuria nis nga brenda njeriut dhe nuk është e domosdoshme të lidhet me praninë e një burri.
“Unë jam një njeri i dashur. Dhe kur ke dashuri brenda vetes, ke vend për të marrë dashuri. Kush nuk e do?! Por nuk e kam dashurinë në prizmin e një burri. Jonas nuk zë vendin e një dashurie tjetër, por mua më mjafton. Nëse vjen dikush ashtu siç duhet, mirë se të vijë. Nëse vjen, faleminderit Zotit, por edhe nëse nuk vjen, faleminderit për kështu si jam”, u shpreh Maya.
Rrëfimi vjen rreth dy vite pas ndarjes së saj nga ish-bashkëshorti, një periudhë që u komentua gjerësisht në media.
Në atë kohë, Maya kishte folur publikisht edhe për vështirësitë e marrëdhënies, duke deklaruar se ish-partneri i saj ishte përdorues i alkoolit dhe drogës. Ajo kishte treguar se kishte tentuar ta ndihmonte që të largohej nga këto probleme, por përpjekjet e saj nuk kishin dhënë rezultatin e dëshiruar.
Sot, duket se këngëtarja e sheh jetën nga një tjetër këndvështrim. Në qendër të saj është djali, qetësia dhe një ndjenjë e plotësisë që nuk varet domosdoshmërisht nga një lidhje romantike.
Maya nuk e përjashton mundësinë që një ditë të shfaqet dikush i veçantë, por siç e thotë vetë, ajo nuk e sheh dashurinë e një partneri si një domosdoshmëri për të qenë e lumtur.











