Gjykata jep vendimin për këngëtarin Gjesti

Këngëtari Gjesti është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vite burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë, pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Çështja gjyqësore lidhet me mosmarrëveshjet mes këngëtarit dhe pronarit të kompanisë “Onima”, Erkand Shabani.
Gjatë seancës gjyqësore, mbrojtja e Gjestit kërkoi që procedura të përfundonte përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Kërkesa fillimisht hasi në kundërshtimin e palës së dëmtuar, por më pas marrëveshja u pranua nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në përfundim, Gjykata vendosi ndaj Gjestit dënimin me dy vite burgim me kusht, ndërsa këngëtari duhet të paguajë edhe një gjobë prej 6 mijë eurosh.
Dënimi me kusht nënkupton se Gjesti nuk do ta vuajë automatikisht dënimin me burg, për sa kohë respekton kushtet e përcaktuara nga vendimi gjyqësor.











