Kida bëhet nuse në një ceremoni përrallore/ Detajet nga dasma e saj në Romë

Këngëtarja e njohur shqiptare, Kida, emri i vërtetë Orhidea Latifi, ka kurorëzuar dashurinë me partnerin e saj, Ajbi.
Çifti i ka dhënë fund beqarisë më 1 shtator, në një ceremoni të zhvilluar në Romë, ku pranë tyre kanë qenë familjarë, miq dhe emra të njohur të muzikës shqiptare.
Kida ka shkëlqyer në ditën e saj të veçantë, e veshur me një fustan të bardhë nusërie prej dantelle, me mëngë të gjata dhe vello. Nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ceremonia është zhvilluar në Villa Miani, rezidenca historike në Monte Mario, një prej zonave panoramike të kryeqytetit italian.


Ambientet e ceremonisë janë dekoruar me lule në tonalitete rozë dhe pastel, duke i dhënë festës një atmosferë romantike dhe elegante.
Historia e dashurisë së Kidës dhe Ajbit mori një tjetër hap të rëndësishëm në dhjetor të vitit 2024, kur këngëtarja mori propozimin për martesë në periudhën e ditëlindjes së saj.
Pas fejesës, çifti zgjodhi Romën për momentin e tyre të madh, duke mbledhur rreth vetes njerëzit më të afërt dhe miq nga industria e muzikës.
Mes personazheve që kanë ndarë momente nga ceremonia ishte edhe këngëtarja Dafina Zeqiri, e cila publikoi fotografi nga Roma dhe e uroi Kidën me fjalët: “Nusja jonë e bukur.”

Kështu, pas një fejese të mbajtur në fund të vitit 2024, Kida dhe Ajbi kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me një dasmë në një prej ambienteve më elegante të Romës.











