U bë e famshme me ‘Shtëpiake të dëshpëruara’, Eva Longoria ndalon të birin ta shohë

Eva Longoria ka zbuluar se nuk ka ndërmend ta lejojë djalin e saj 8-vjeçar, Santiago, të shohë serialin që e bëri të famshme, “Shtëpiake të dëshpëruara”.
Aktorja 51-vjeçare interpretoi për tetë sezone personazhin e Gabrielle Solis, një prej figurave më të guximshme dhe kontroverse të serialit, i cili u transmetua nga viti 2004 deri në 2012.
Një prej arsyeve pse Longoria nuk e konsideron ende të përshtatshëm serialin për të birin është edhe historia e personazhit të saj. Që në sezonin e parë, Gabrielle përfshihet në një lidhje jashtëmartesore me kopshtarin e saj, 16-vjeçarin John Rowland, të interpretuar nga Jesse Metcalfe.
Ndërkohë, Santiago duket se ka nisur të kuptojë gjithnjë e më shumë famën e së ëmës. Longoria tregoi për People se i biri është bërë veçanërisht i interesuar për videot dhe memet e Gabrielle Solis që gjen në YouTube.
“Kohët e fundit po i shoh edhe unë shumë më tepër, sepse ai po i zbulon. Më pyet: ‘Mami, kur mund ta shoh?’ dhe unë i përgjigjem: ‘Kurrë’”, tregoi aktorja.
Longoria dhe bashkëshorti i saj, producenti José Bastón, jetojnë mes Meksikës dhe Spanjës së bashku me djalin e tyre.
Aktorja është shprehur edhe më parë për përvojën e saj të mëmësisë, duke thënë se të bëhesh nënë në të dyzetat i dha më shumë mençuri dhe durim.
“Ke shumë më tepër mençuri dhe durim kur bëhesh nënë në të dyzetat”, është shprehur ajo.
Longoria u bë nënë në moshën 43-vjeçare dhe ka treguar se, para ardhjes së Santiago-s në jetën e saj, pjesën më të madhe të energjisë ia kishte kushtuar karrierës.
“Për 40 vjet gjithçka kishte të bënte me mua. Kisha udhëtuar dhe kisha bërë gjithçka që duhej për karrierën time. Tani gjithçka që bëj është thjesht qershia mbi tortë dhe mund ta bëj së bashku me djalin tim”, ka rrëfyer aktorja.











