500 trëndafila të kuq për Roza Latin, moderatorja merr dhuratën misterioze pas ndarjes nga Xhonatan Islami

Roza Lati ka tërhequr sërish vëmendjen në rrjetet sociale, këtë herë përmes një surprize që ka ngjallur menjëherë kuriozitet për jetën e saj sentimentale.
Moderatorja është shfaqur mes 500 trëndafilave të kuq, ndërsa ka pozuar e veshur me një fustan të bardhë. Pamjet e publikuara prej saj tregojnë një ambient të mbushur me lule dhe të kuruar me një atmosferë romantike.
Vetë Roza e ka cilësuar surprizën si një “special gift”, por ka zgjedhur të mos tregojë se kush ia ka dërguar trëndafilat. Pikërisht mungesa e një emri pas dhuratës ka shtuar pikëpyetjet mes ndjekësve të saj.
Në fotografitë e publikuara në Instagram, moderatorja shihet e ulur në një korridor të rrethuar nga trëndafilat. Megjithatë, personi që qëndron pas kësaj surprize mbetet ende mister.
Dhurata ka rikthyer vëmendjen edhe te jeta private e Rozës, veçanërisht pas përfundimit të marrëdhënies së saj me Xhonatan Islamin.

Roza Lati dhe Xhonatan Islami ishin për një periudhë ndër çiftet më të komentuar të showbiz-it shqiptar. Romanca e tyre u bë publike gjatë vitit 2024, megjithëse në fillim të dy u treguan të rezervuar për të folur drejtpërdrejt rreth marrëdhënies.
Me kalimin e kohës, fotografitë, udhëtimet dhe daljet së bashku e bënë lidhjen gjithnjë e më publike. Më pas, Roza foli hapur për marrëdhënien dhe tregoi se bashkëjetonte me Xhonatanin.
Dyshimet për një krizë mes tyre nisën pasi fotografitë e përbashkëta filluan të zhdukeshin nga rrjetet sociale. Edhe raporti i tyre në platformat sociale u bë shkak për aludime se lidhja mund të kishte marrë fund.
Në tetor të vitit 2025, Roza publikoi një fotografi me Xhonatanin, duke zbehur përkohësisht zërat për ndarje. Në mesazhin që shoqëronte fotografinë, ajo theksonte se nuk ia kishin lëshuar dorën njëri-tjetrit.
Megjithatë, disa muaj më vonë u konfirmua përfundimi i romancës. Në mars të këtij viti, Xhonatan Islami deklaroi publikisht se marrëdhënia me Rozën kishte përfunduar prej disa muajsh dhe se lidhja e tyre kishte zgjatur rreth një vit.
Ai e përshkroi historinë e tyre si një kapitull të mbyllur, duke bërë të ditur se ishte beqar. Pavarësisht ndarjes, Xhonatani foli pozitivisht për Rozën dhe u shpreh se i uronte asaj më të mirat.
Tashmë, disa muaj pas konfirmimit të ndarjes, 500 trëndafilat e kuq kanë rikthyer vëmendjen te jeta sentimentale e moderatores. Megjithatë, Roza nuk ka zbuluar nëse pas surprizës qëndron një person i ri në jetën e saj apo nëse bëhet fjalë thjesht për një dhuratë, duke e lënë mister identitetin e dërguesit.












