“Klienti im është jashtë çdo përgjegjësie juridike”, flet avokati i Ergys Agasit: Pa funksion shtetëror, nuk ka prekur fondet publike

Avokati i Ergys Agasit, Maksim Haxhia, ka folur sot për mediat para ambienteve të bllokut të sigurisë, ku mbahet i izoluar klienti i tij. Biznesmeni është i akuzuar në dosjen e AKSHI-t, teksa avokati i tij kërkon të njihet me dosjen.
Haxhia tregon çfarë ndodhi në takimin e sotëm dhe flet për pretendimet e Agasit, i cili sipas tij, pretendon se nuk ka prekur financat publike, pasi nuk ka mbajtur funksione me fuqi për të tilla ndërhyrje.
“Ky është një takim i parë që përgatitemi për procesin lidhur me verifikimin e masës që është arrest me burg. Ne duam dosjen. Është e turpshme që edhe pas kaq shumë kohësh, edhe pse kemi bërë kërkesë, i jemi drejtuar ILD që na është mohuar një e drejtë, sepse pa dosje nuk mund ngremë pretendime.
Zoti Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkese juridike. Ai pretendon dhe është fakt që ai nuk ka prekur financat publike, sepse nuk ka qenë në funksionet e autoriteteve që menaxhojë financa publike. Nuk ka marrë pjesë as në tendera publike”, tha avokati.











