“Dita e dasmës ishte magjike”, Dua Lipa flet për herë të parë për martesën me Calum Turner

Dua Lipa ka folur për herë të parë publikisht për martesën me aktorin Calum Turner, duke zbuluar detaje nga dita e tyre e veçantë dhe këshillat që çifti vendosi të ndiqte për ta shijuar në maksimum ceremoninë.
Në një intervistë për revistën italiane “Vogue”, ylli i muzikës pop e përshkroi ditën e dasmës si “magjike”, ndërsa tregoi se mes këshillave të shumta që morën, ajo dhe Turner zgjodhën të ndiqnin vetëm dy.
“Dita e dasmës ishte magjike. Morëm shumë këshilla, por vendosëm të ndiqnim vetëm dy prej tyre, ta përjetonim atë ditë sikur të ishim edhe ne të ftuar dhe të kërkonim vazhdimisht njëri-tjetrin mes turmës, pa e humbur kurrë njëri-tjetrin nga sytë. Në këtë mënyrë krijuam vërtet shumë kujtime të përbashkëta”, tregoi Dua Lipa.
Këngëtarja dhe aktori u martuan në muajin maj në Old Marylebone Town Hall në Londër. Festimet më pas u zhvendosën në Itali, ku çifti organizoi një dasmë treditore në Palermo të Siçilisë.
Edhe Calum Turner kishte folur pak ditë më parë për martesën, duke e përshkruar atë si ditën më të bukur të jetës së tij.
“Ishte e mrekullueshme… Ishte dita më e bukur e jetës sime. Është bukur të gjesh një njeri që e do, që të do dhe me të cilin dëshiron të jesh gjatë gjithë kohës”, u shpreh aktori.
Turner foli gjithashtu për planet e së ardhmes dhe dëshirën për t’u bërë baba. I pyetur nëse krijimi i një familjeje është prioritet për të gjatë viteve të ardhshme, 36-vjeçari u përgjigj: “Sigurisht, po. Jam 36 vjeç. Do të doja të krijoja një familje dhe të rrisja fëmijë”.











