Shteti Bektashi drejt zyrtarizimit, Berisha: PD kundër kësaj nisme antikushtetuese, mund të nxisë përçarje fetare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar kundër projektit për krijimin e një shteti sovran bektashi në Tiranë, duke e cilësuar nismën si “antikushtetuese” dhe “antikombëtare”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike ka kundërshtuar këtë projekt që prej vitit 2024 dhe se, sipas tij, krijimi i një shteti bektashi bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe karakterin laik të Shqipërisë.
“PD ka reaguar fuqimisht. Cilido që është i interesuar për reagimet e PD-së, i sugjeroj t’u referohet deklaratave të mia. Kam qenë në arrest shtëpie kur unë kam ngritur zërin kundër tij dhe duhet të ketë qenë janari i vitit 2024”, deklaroi Berisha.
Ai tha se projekti është, sipas tij, edhe “kundër bektashizmit shqiptar”, duke vlerësuar kontributin historik të këtij komuniteti në çështjen kombëtare shqiptare.
Berisha argumentoi se krijimi i një entiteti të tillë mund të nxisë përçarje fetare në Shqipëri.
“Kjo aventurë, e cila, siç kemi deklaruar më parë, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot, përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli”, tha Berisha.











