Ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare, hetimi paraprak zbulon detaje nga vdekja e aktores Hayden Panettiere

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me vdekjen e papritur të Hayden Panettiere, e cila ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare, të dielën, më 16 gusht. Sipas hetimeve paraprake të policisë, nuk ka të dhëna që tregojnë për një veprimtari kriminale.
Siç raporton revista People, rreth orës 13:50 të së dielës, policia e Greenville në Karolinën e Jugut dhe ekipet e emergjencës morën një telefonatë për një “grua pa ndjenja”, bëri të ditur një përfaqësues i Departamentit të Policisë së Greenville.
“Me të mbërritur në vendngjarje, iu dha ndihma mjekësore. Megjithatë, personi, i cili më vonë u identifikua si Hayden Panettiere, u konstatua i vdekur në vendngjarje”, deklaroi përfaqësuesi i policisë.
Sipas tij, autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e vdekjes.
“Çështja po hetohet nga Departamenti i Policisë së Greenville në bashkëpunim me Zyrën e Mjekut Ligjor të Qarkut Greenville”, tha ai.
Përfaqësuesi i policisë shtoi se hetimet e deritanishme nuk kanë zbuluar elemente që të ngrenë dyshime për një krim.
“Hetimi paraprak nuk ka treguar shenja të një veprimtarie kriminale apo rrethana të dyshimta. Telefonata në 911 është bërë nga një person i njohur i zonjës Panettiere”, deklaroi ai.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera për momentin.
Vdekja e aktores amerikane u konfirmua edhe nga përfaqësuesi i saj, i cili përcolli një deklaratë të babait të saj, Alan Panettiere.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë vdekjen tragjike të Hayden-it tonë të dashur. Ajo ishte një dritë e jashtëzakonshme dhe një forcë e natyrës, që u dhuroi dashuri dhe gëzim të pamasë të gjithë atyre që e njihnin dhe miliona njerëzve që e ndiqnin në ekran”, thuhet në deklaratën e tij.











