Flakët përfshijnë hotelin në Lungomare, 7 persona përfundojnë në spital

Zjarri ka shkaktuar momente paniku, ku disa prej klientëve janë hedhur nga dritaret…
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, duke lënë të plagosur shtatë persona dhe duke detyruar evakuimin e personave që ndodheshin brenda saj.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur në një lokal në katin e parë të godinës. Flakët janë përhapur më pas në katin e dytë, ku ndodhej një hotel, si dhe në fasadën e pallatit.
Situata ka krijuar momente paniku për personat që ndodheshin brenda godinës. Për t’u larguar nga flakët dhe tymi, disa prej tyre kanë dalë nga dritaret, ndërsa raportohet se një pjesë janë detyruar të hidhen prej tyre.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse. Godina është evakuuar për shkak të rrezikut, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe pengimin e përhapjes së mëtejshme të tyre.
Nga të dhënat paraprake rezulton se shtatë persona të dëmtuar janë transportuar në Spitalin e Vlorës. Tre prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa katër të tjerët ndodhen në sallën e operacionit.
Mësohet se gjashtë prej personave të dëmtuar janë shqiptarë të Kosovës, ndërsa personi i shtatë është nga Rrësheni. Deri në këtë fazë nuk ka të dhëna të tjera të konfirmuara për gjendjen e tyre shëndetësore.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë. Policia dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar se çfarë ka shkaktuar flakët dhe rrethanat e plota të ngjarjes.











