“Nuk ka lidhje me paratë”/ Zhaklin Lekatari zbulon pse pret që djali të paguajë në takimin e parë

E ftuar në emisionin “Live From Tirana”, Zhaklin Lekatari ka folur për mënyrën se si kanë ndryshuar marrëdhëniet dhe kultura e takimeve mes vajzave dhe djemve, duke prekur edhe temën e barazisë gjinore.
Lekatari tha se te brezi i ri sheh një qasje më të hapur ndaj njohjeve dhe marrëdhënieve. Sipas saj, vajzat sot janë më të qarta për atë që kërkojnë dhe nuk hezitojnë të largohen kur përballen me sjellje që i konsiderojnë problematike.
Ajo veçoi edhe një tjetër fenomen që, sipas saj, është bërë më i dukshëm te vajzat e reja: mbështetjen mes njëra-tjetrës.
“Ka një lloj motërzimi mes grave dhe vajzave, gjë që më përpara nuk ekzistonte”, u shpreh Lekatari, duke theksuar se vajzat këshillojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën në çështjet e dashurisë.
Megjithatë, ajo ndalet edhe te mënyra se si duhet të kuptohet barazia gjinore në raport me sjelljen gjatë një takimi.
Sipas saj, të qenit i barabartë ekonomikisht nuk përjashton domosdoshmërisht gjestet e mirësjelljes dhe të elegancës.
“Në takim të parë, nëse një djalë nuk paguan, unë mendoj se është pak me shije të keqe”, deklaroi ajo.
Lekatari sqaroi se për të kjo nuk lidhet drejtpërdrejt me shumën e parave, por me mënyrën se si një burrë sillet gjatë takimit.
“Jo për shkak të parave, por për shkak të të qenurit kavalier, e joshjes, elegancës dhe të treguarit të një lloj qytetarie”, tha ajo.
Ajo bëri gjithashtu një ndarje mes barazisë gjinore dhe kavalierisë, duke argumentuar se të dyja mund të bashkëjetojnë pa u përjashtuar.
“Barazia gjinore dhe kavalieria janë dy gjëra të ndryshme, nuk kanë pse përplasen me njëra-tjetrën”, u shpreh Lekatari.
Nga ana tjetër, ajo tha se i pëlqen edhe qasja e grave që kanë pavarësi ekonomike dhe nuk e kanë problem të paguajnë për partnerin apo personin me të cilin janë në takim.
Në fund, Lekatari theksoi se mënyra e re e të menduarit për marrëdhëniet po ndryshon gradualisht, veçanërisht në zonat urbane, ndërsa në zona të tjera traditat dhe kontrolli mbi zgjedhjet personale të vajzave vijojnë të jenë më të pranishme.











